Secondary Adv

Inflacioni bazë zbutet, por goditjet e çmimeve të energjisë mund të japin një shtysë të re

Inflacioni bazë ka shënuar rënie në mars, por zhvillimet në tregjet globale të energjisë mund të sjellin një valë të re rritjeje të çmimeve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë zbriti në 2.72% në muajin mars, nga 3.06% që ishte një muaj më parë. Megjithatë, ky tregues mbetet më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur regjistrohej në nivelin 2.5%.

 

Qiratë mbeten faktori kryesor i presioneve

Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e çmimeve të qirave vijon të jetë burimi kryesor i presioneve të brendshme inflacioniste. Rënia e muajit mars lidhet kryesisht me efektin e bazës krahasuese dhe mbylljen e një cikli vjetor të rritjes së çmimeve në këtë segment.

 

Pavarësisht uljes, inflacioni bazë vijon të qëndrojë mbi nivelin e inflacionit total, i cili sipas INSTAT arriti në 2.6% për muajin mars.

 

Treguesit afatgjatë shfaqin frenim

Inflacioni bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë rreth 69.8% të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe përjashton kategoritë me luhatshmëri të lartë, si ushqimet dhe energjia. Ky tregues përdoret për të kuptuar tendencat më të qëndrueshme të çmimeve në ekonomi.

 

Në të njëjtën linjë, edhe inflacioni bazë neto pësoi një rënie të lehtë, duke zbritur në 3.37% nga 3.59% në shkurt, megjithëse mbetet më i lartë se niveli prej 2.26% i një viti më parë. Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike ra në 3.28% në mars, nga 3.44% në muajin paraardhës.

 

Rreziku nga energjia mbetet i lartë

Pavarësisht sinjaleve të lehta të zbutjes, autoritetet vlerësojnë se presionet inflacioniste nuk janë zhdukur. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht ato të lidhura me energjinë, mund të përkthehen gradualisht në rritje çmimesh në ekonomi, duke prekur edhe produkte dhe shërbime që zakonisht kanë luhatje më të kufizuara në afat të shkurtër.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat